Policia Italiane ka zbuluar në Monopoli, një grup trafikantësh që ishin nisur për të shkarkuar në tokë një ngarkesë marihuana të konsiderueshme, raportojnë mediat italiane.
Operacioni u zhvillua dje në kuadrin e kontrollit të territorit nga Policia lokale në bashkëpunim me autoritetet detare të zonës që synonte të mos lejonte zbarkimin e sasive të mëdha të lëndëve narkotike në bregdetin e Monopoli-t. Trafikantët pasi dalluan prezencën e policisë, u larguan me dy furgonat që kishin sjellë për të transportuar drogën që kishte ardhur nga deti. Ata braktisën 500 kg marihuanë në gomonen që e solli. Droga u sekuestrua. Vlera e ngarkesës së drogës llogaritet në rreth 2 milionë euro.











