Operacioni për kapjen e grabitësve të bankës, deri tani mësohet se ka 2 persona të arrestuar dhe 5 të tjerë të shoqëruar. Ndërkohë mësohet se Policia ka mundur të identifikojë autorët e grabitjes së 3.2 milionë Dollarëve në rrugën e Rinasit më 9 shkurt.
Operacioni blic i Policisë së Shtetit për kapjen e supergrabitësve të 3.2 milionë dollarëve të BKT-së, është ende duke u zhvilluar.
Mësohet se policia ka sekuestruar edhe sende të ndryshme në cilësinë e provave materiale gjatë këtyre kontrolleve.
Dhjetëra forca policie marrin pjesë në operacionin që ka nisur prej paradites së sotme, me kontrolle të shumta në banesa e biznese të personave të dyshuar në zonën e Vorës dhe Prezës.
Ndërkohë Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka mbledhur me urgjencë drejtuesit më të lartë të policisë.
Ministri i Brendshëm ndodhet te Drejtoria Vendore e Policisë Tiranës ku po zhvillon një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako si dhe me drejtorin e Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj. Mësohet se ministri Tahiri ka kërkuar informacion për operacionin dhe rezultatet e tij.











