Krahas 6 të arrestuarve, 20 persona të tjerë janë të shoqëruar në polici, pas grabitjes së parave të një banke dje në rrugën e Rinasit. Por ende nuk ka asnjë gjurmë të autorëve të ngjarjes. Agjentët e policisë po vazhdojnë krehjen e zonave dhe sekuestrimin e kamerave të sigurisë në rrugët nga dyshohet se kanë kaluar makinat që u përdoren nga grabitësit.
ABC News ka mësuar se gjatë mbrëmjes të së enjtes dhe mëngjesin e së premtes, policia ka shoqëruar në komisariat e drejtori të policisë, persona të ndryshëm, mes tyre edhe me precedent penal në fushën e vjedhjeve në të kaluarën e tyre. Burimet thonë se veç pyetjes, se ku ishin në kohën e ngjarjes, të shoqëruarve i është bërë edhe këqyrja e aparateve celularë. Në mesin e personave të shoqëruar, burimet thonë se kanë qenë edhe disa ish të dënuar nga zona e Fush-Krujës të cilët tashmë kanë dalë nga burgu. Të gjithë, janë pyetur me cilësinë e deklaruesve dhe më pas janë lënë të lirë.
Nga ana tjetër, mësohet se me urdhër të prokurorit Ervin Karanxha, agjentët e policisë po vazhdojnë krehjen e zonave dhe sekuestrimin e kamerave të sigurisë në rrugët nga dyshohet se kanë kaluar makinat që u përdoren nga grabitësit. Këto dy mjete, që u dogjën pas grabitjes, dyshohet se janë të vjedhura dhe janë modifikuar në pjesën e përparme, që është shfrytëzuar për të goditur makinën e modifikuar në të blinduar, ku ndodheshin thasët me para. Gjithashtu, mësohet se prokuroria ka kërkuar nga kompanitë e telefonisë lëvizëse, evidentimin dhe identifikimin e numrave të telefonit që ndodheshin në atë zonë, nga ora 13:00 deri në orën 14:00 të pasdites së enjte. Kjo për të parë, se kush janë personat që kanë qenë pranë vendit të ngjarjes gjatë kohës së grabitjes.
Për këtë ngjarje, që ende nuk dihet se sa është shuma e vjedhur por që dyshohet se kap shifrën e 2 milionë eurove, prokuroria e ka regjistruar procedimin penal për akuzën e “vjedhjes me armë” në bashkëpunim si dhe për “shpërdorim të detyrës” nga punonjësit e policisë private.












