Prokuroria ka kërkuar 10 vjet burg për Andrea Memollarin, i riu që aksidentoi për vdekje një grua, e cila po kalonte rrugën bashkë me dy fëmijët e saj në Korrik të vitit të kaluar.
Ai akuzohet për “Aksident me pasojë vdekje” dhe “Largim nga vendi i aksidentit”, por përfiton ulje dënimi nga gjykimi i shkurtuar.
38-vjeçarja sportiste Dhurata Doku në tentativë për të shpëtuar fëmijët, i ka shtyrë ata duke u shpëtuar jetën gjatë momentit të perplasjes në rrugën ‘Jordan Misja’ në kryeqytet.
Ndërsa autori i krimit i ka dhënë gaz makinës duke u larguar nga vendi i ngjarjes,e u prangos vetëm pak orë më vonë.
I pranishëm në sallën e gjyqit ishte dhe Arjan Prifti, bashkëshorti i Dhurata Dokut. Ai i cilësoi të rënda rrethanat e vdekjes të së shoqes duke i krahasuar me krimet monstruoze në Siri.
Babai i dy fëmijëve i bëri thirrje trupit gjykues të dënojë maksimalisht Memolllarin.
“Fëmijëve të mi ju vra nëna para syve si në Siri. Jam prind i plagosur por nuk merrem me hakmarrje. Nëse ai nuk dënohet maksimalisht, e drejta në këtë vend ka marrë fund. Çdo shqiptar e çdo prind do dënimin maksimal të Memollarit”.












