Foto Ilustruese
Një tjetër fëmijë humb jetën nga virusi i gripit, duke e çuar në pesë numrin e viktimave nga kjo epidemi. Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Shëndetësisë.
Mësohet se 3-vjeçari me inicialet B. Z., humbi jetën pasi ishte prekur nga virusi i gripit stinor A.
Po sipas këtyre burimeve, ai ishte shtruar disa herë në Urgjencën e Lezhës dhe më 15 janar u Transferua në Qendrën Spitalore ‘Nënë Tereza’.
Prej një jave, i mituri ishte me temperaturë, ethe dhe kollë. Gjithashtu ministria bënë me dije se edhe familjarët e tij kanë kaluar sëmundje respiratore. Ky është rasti i pestë i personave që kanë ndërruar jetë nga virusi i gripit, i cili prej disa kohës ka prekur mbi 18 mijë persona.
Mjeku i spitalit të Lezhës, Kastriot Kolmarku, i cili trajtoi djalin 3 vjeç që fatkeqësisht humbi jetën pasi ishte prekur nga virusi i gripit, ka treguar detaje nga gjendja shëndetësore e të miturit.
Në një prononcim për “News24” Kolmarku pohoi se në datën 15 janar i mituri është sjellë nga prindërit e tij në spital, pasi kishte pasur të vjella dhe temperaturë.
Ai shton më tej se pasi u trajtua në urgjencën e spitalit, djali u dërgua më pas në shtëpi, ndërsa iu rekomandua sërish të paraqitej në darkë. Mjeku theksoi se 3-vjeçari me inicialet B. Z., u paraqit në spital një ditë më vonë, në gjendje të rëndë për jetën.
Njoftimi i ministrisë së Shëndetësisë
Ministria e Shëndetësisë informon se pacienti B. Z., i datëlindjes 06/05/2014, lindur në Shënkoll, Lezhë, i vaksinuar rregullisht, ka pasur prej një jave klinikë me temperaturë, ethe, kollë. Pasi është paraqitur disa herë në urgjencën e spitalit Lezhë, më datë 14/01/2017 shtrohet në spitalin e Lezhës me diagnozën “Infeksion viral me insuficiencë respiratore”, ku edhe pas trajtimit spitalor gjendja mbetet e njëjtë.
Më datë 15/01/2017 transferohet në Tiranë dhe shtrohet në Reanimacionin e Shërbimit të Pediatrisë në QSUT, ku ka pasur edhe shenja të tjera klinike si, mosreagim ndaj dhimbjes, hipotoni muskulare, gjendje prekome, vështirësi në frymëmarrje dhe frymëmarrje të zhurmshme. Pacienti është konfirmuar me diagnozën: “Encephalomielit”.
Gjatë të njëjtës javë, familjarët me të cilët jeton, katër pjesëtarë (nëna, babai, gjyshja, gjyshi) kanë kaluar sëmundje respiratore të ngjashme me gripin. Mostrat e marra për ekzaminim nga ISHP-ja konfirmojnë që pacienti ishte i prekur nga virusi i gripit stinor A.
Edhe pas trajtimit në Reanimacionin e Shërbimit të Pediatrisë në QSUT, pacienti ndërron jetë në orët e para të mëngjesit të datës 17/01/2017. Ky është rasti i pestë i konfirmuar, pas dy rasteve të raportuara në dt. 05/01/2017, atij të datës 11/01/2017 dhe rastit të datës 13/01/2017 nga Ministria Shëndetësisë për persona që kanë ndërruar jetë, të cilët, përveç sëmundjeve të tjera, kanë rezultuar të prekur edhe nga virusi i gripit të stinës A.











