Policia e Shkodrës ka zbardhur dhe dokumentuar ngjarjen e ndodhur dje, rreth orës 16:40, pranë “Radio Shkodrës”, te ish “5 Heronjtë”, ku mbeti i plagosur me armë zjarri, shtetasi Eglion Zuna. Burime zyrtare të Policisë vendore, bëjnë ët ditur se ka identifikuar dhe ka arrestuar në flagrancë tre autorët e dyshuar të kësaj plagosje.
Të njëjta burime saktësuan se në momentin e ngjarjes, Eglion Zuna (i dëmtuari), ka qenë duke udhëtuar me mjetin e tij, tip “Benz”me targë AA 550 DX, në shoqërinë e shtetasit Adam Ademi dhe një shtetase të huaj.
Nga veprimet e kryera rezulton se autori i dyshuar i kësaj ngjarjes është Adam Ademi, i cili pas ngjarjes është larguar së bashku me mjetin tip “Benz” me targë AA 550 DX, duke penguar në zbardhjen e së vërtetës. Ndërsa arma e zjarrit Pistoletë TT, me të cilin është kryer plagosja ka qenë e të dëmtuarit Eglion Zuna, e cila u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale në Hotelin “Redbriks”, pronë e Arben Ademi, i cili ka kundërshtuar forcat e policisë në kryerjen e detyrës. Në vendngjarje u gjet një gëzhojë armë zjarri, pistoletë, kalibri 7.62 mm, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
I dëmtuari është transportuar në spitalin e Traumës Tiranë dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Lidhur me motivin e ngjarjes po punohet për sqarimin e plotë të tij, por paraprakisht dyshohet se mund të ketë ndodhur aksidentalisht.
Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale, parashikuara nga nenet 278, 236, 88/1 dhe 301 të Kodit Penal.
Të arrestuarit
* Adam Ademi, 21 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
* Arben Ademi, 54 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.
* Eglion Zuna, 20 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.











