Kreu i PD-së Lulzim Basha ka zhvilluar sot një takim me krerët e partive në rrethe dhe deputetët e opozitës. Objekt diktimi i këtij takimi, ishin zgjedhjet e ardhshme dhe përgatitja sa më e mirë e tyre. Gjatë fjalës së tij, kreu i PD-së, ripërsëriti qëndrimin, sipas të cilit, votimi elektronik është kushti për zgjedhjet e ardhshme, pasi është e vetmja mënyrë që eliminon manipulimin.
“Nëse Rama nuk e do votimin elektronik, të propozojë një mënyrë tjetër për zgjedhje të lira e të paminipulueshme”, u shpreh Basha në fjalën e tij.
Fjala e kreut të PD-së, Lulzim Basha
Koalicioni opozitar ka vendosur paketën e kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme, ku përveç zbatimit të ligjit të dekriminalizimit, mos përdorimit të aseteve shtetërore në fushatë, kushti më thelbësor është votimi dhe numërimi elektronik.
Që nga momenti i marrjes së këtij vendimi nga opozita e bashkuar, kam marrë me qindra mesazhe nga mbështetës, përfaqësues të shoqërisë civile, sipërmarrjes, botës akademike dhe njerëz publikisht të afishuar si përkrahës të së majtës dhe që e konsiderojnë atë si kushtin kryesor për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Është e pakuptueshme që në 25 vite, kontestimi i zgjedhjeve ka shoqëruar çdo votim dhe votimi elektronik është fundi i manipulimit të votës se me atë çdo shqiptar e ka të garantuar votën e tij.
Nuk ia mohon askush më votën me mbledhje apo blerje kartash identiteti, as me votimin tjetër për tjetër, as me votimin e shumëfishtë.
E shikoni se vendimi i djeshëm nuk ka të bëjë me një kusht të opozitës, po me interesin e qytetarëve. A ka qytetarë sot që nuk e duan votimin e lirë, mos tjetërsimin e saj, që nuk dëshirojnë t’ japin fund maskaradës së manipulimeve të votave të blera, të terrorit të pushtetit?!
Kjo nuk është një aspiratë vetëm e demokratëve. Ky nuk është objektiv vetëm i opozitës, por dëshirë e çdo shqiptari dhe me votimin elektronik shqiptarët do të kenë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Në 2015, raporti i OSBE/ODIHR e tha fare qartë se liria e votës është e kërcënuar nga pushteti i veshur me krim.
Disa përpjekje të mjerueshme të mazhorancës dhe të tellallëve të tyre po përpiqen të na japin kohën si justifikim. S’ka kohë për të garantuar lirinë e votës dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme?!
E gjejmë kohën! Ajo që nuk ka kohë është një tjetër palë zgjedhje të vjedhura ku qytetarët shesin dhe blejnë votën. Koha për zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk mbaron kurrë. Le t’i lëmë broçkullat! Shqiptarët meritojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme!
Kjo mazhorancë nuk mund të fshihet pas një gjetheje fiku, por t’u thotë shqiptarëve pse nuk e pranon sot votimin dhe numërimin elektronik dhe nëse nuk e pranon, çfarë alternative tjetër afron për të garantuar zgjedhje më të mira? Le t’i afrojnë dhe t’i shqyrtojmë.
Kjo qeveri që i kapi zgjedhjet, i trajton njerëzit si dele. I vodhi dhe i talli dhe nuk ka respekt për njerëzit.
Në një vend ku qytetarët zgjedhin qeverinë, qeveria nuk mund kurrë të poshtërojë dhe dhunojë qytetarët po e ka detyrë t’i respektojë, se pushteti buron nga ata.
Zgjedhjeve të lira dhe të ndershme ne do t’i japim formë nëpërmjet një kontakti intensiv me qytetarët, dalje në terren, mobilizim.
Brenda datës 15 shkurt do të anagazhohemi për të evidentuar potencialet më të larta që kemi në komunitet që do t’i konsiderojmë si përfaqësues të denjë të PD-së. Ne do t’i japim shqiptarëve një listë deputetësh më përfaqësuesen dhe më cilësoren që ka pasur ndonjëherë ky vend
Koha ka ardhur që ne, ju, demokratët kudo që janë, të marrin përsipër ndryshimin e madh që po vjen dhe do të vijë duke i dhënë formë, shprehje, zë, përmes më të mirëve që Shqipëria ka.
“Kriza Rama” është ekonomike, shoqërore, politike, psikologjike e gjithanshme.
Nxjerrja e Shqipërisë nga Kriza Rama kërkon mobilizimin më të mirë. Që të arrijmë këtë, hapja për të cilën kemi diskutuar dhe dakordësuar këto muaj duhet të marrë formë përmes një procesi të hapur konsultimi me të gjithë qytetarët ndaj dhe udhëzimi im, detyra që ju ngarkoj, është që ky proces të mos mbetet brenda strukturave të PD-së, por të përhapet e të kthehet në një bashkëbisedim shprese dhe besimi tek e nesërmja.
Këto janë tre vendimet kyçe që diktojnë një punë intensive në terren.
Diçka tjetër që do të diskutojmë së bashku ka të bëjë me logjistikën e fushatës, kontaktin me votuesin, për listat, transferimin e votuesve etj.
Kam kënaqësinë të ndaj me ju edhe mbështetjen që kam marrë nga Partia Popullore Europiane, nga partia e Kancelares Merkel; kemi plot lajme të mira dhe mbështetje ndërkombëtare.
Shqiptarët presin ndryshimin që do të vijë patjetër përmes një beteje të drejtë në Shqipëri, të pastruar nga krimi dhe korrupsioni.












