Dy deputetë të PD, Liljana Elmazi dhe Arben Ristani theksuan njëri pas tjetrit se dëshmitë që ka mbledhur qeveria lidhur me privatizimin CEZ janë të pabesueshme pasi mbeshteten mbi të dhënat e një personi me probleme të natyrave të ndryshme.
Anëtarja e djathtë në komision, Elmazi tha se Romeo Karaj nuk është person i besueshëm pasi është arrestuar për korrupsion. Në vijim ajo tha se Karaj, ka tentuar të vrasë dy herë veten pasi vuan dhe nga çrregullimet mendore.
Dëshmitë e karahj janë të vetmet që po shqyrtohen në komisionin hetimor të CEZ.
Edhe Sekretari i Përgjithshëm i PD, Arben Ristani tha se dëshmitari i qeverisë duhet ekzaminuar nga pikëpamja e gjendjes së tij mendore për shkak të tentativës së tij për të vrarë veten dy herë. Në vijim ai tha se është djali i ish-komsionerit të Zgjerimit të BE, Fyle i cili është i përfshirë në këtë aferë. “Djali i Fyle është i përfshirë në këtë aferë”, tha Ristani.
Mbledhja e komisionit hetimor të CEZ kishte sot mjaft debate por edhe detaje të reja që lidhen me dëshmitarin e qeverisë dhe djalin e Fyles.
Ish-ministri i Financave Ridvan Bode ka argumentuar me shumë qetësi se cilat ishin shifrat e borxhit të keq të CEZ në momentin privatizimit ndërsa theksoi se privatizimi është bërë me një ligj nga Parlamenti, dhe ajo cfarë po diskutohet tani është nul. Sipas tij BB e konsideroi privatizimin një histori suksesi dhe se cdo veprim është kryer nën kujdestarinë dhe praktikat më të mira të këtij institucioni të rëndësishëm ndërkombëtar.
“Këto nuk provojnë asnjë gjë. Ju kërkoni të hidhni baltë ndaj ish-kryeministrit. Bazoheni në ca deklarata të këtij Romeo Karaj ndaj të cilave nuk ka asnjë provë”, tha Bode.
Deputeti Taulant Balla që drejton edhe komisionin kishte paqartësi të mëdha në lidhje me bilancin e KESH në kohën e privatizimit. Ai ngatërroi në fjalën e tij disa herë borxhet e keq dhe humbjet teknike të KESH. I përqëndruar vetëm në dëshmitë e paverifikuara të Karajt ai vazhdimisht drejton diskutimet në komision drejt rolit të Kryeministrit Berisha në privatizim, duke tentuar të implikojë edhe të birin Shkelzenin.
Roli i Komitetit të Energjisë
Në fakt ka qenë pikërisht qeveria e Berishës që prishi marrëveshjen me CEZ duke synuar ndërkaq që përmes arbitrazhit të merrte edhe afro 600 milionë euro borxhe dhe dëm që CEZ i shkaktoi kompanisë dhe ekonomisë shqiptare.
Me një marrëveshje të dyshimtë mes qeverisë Rama dhe CEZ u vendos tërheqja e qeverisë nga arbitrazhi me kompaninë ceke duke humbur ndërkaq edhe shumën e mësipërme. Askush nuk e lavdëroi veprimin qeverisë shqiptare përvec komitetit të Energjisë në Vjenë, në zyrat e të cilit u negociua dhe më pas u arrit marrëveshja.
Komiteti i Energjisë në Vjenë nuk ka ndonjë rol përvec atë të mbikqyrësit të tregut të energjisë në kontinent. Ai nuk ka mundur të zgjidhë asnjë prej mosmarrëveshjeve për tregun e energjisë që kanë izoluar Shqipërinë në këtë treg për shkak të Serbisë. Linja e interkonjeksionit mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe më pas ajo që është në ndërtim mes Shqipërisë dhe Maqedonisë nuk mund të funksionojnë për shkak të embargos serbe.












