Një helikopter i cili u nis për shpëtimin e një tjetër gruaje shtatzënë e cila paraqiste probleme shëndetësore në Fan, u refuzua nga gruaja. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes ajo nuk pranoi të hipte në helikopter edhe pas 30 minutash tratativash.
Për pasojë, ekipi i bordit të helikopterit udhëtoi në një destinacion tjetër.
Më herët Forcat e Armatosura ndërhynë nga ajri edhe në dy raste të tjera. Për momentin, në mision shpëtimi janë në fluturim dy helikopterë Cougar. Njëri prej tyre fluturoi drejt fshatit Iballe të Pukës, ku ndodheshin 3 persona të izoluar në një minierë. Mes tyre ishte dhe administratori i kompanisë Lekë Biçuku, i cili shfaqi probleme shëndetësore ditën e sotme. Ata u morën dhe u transportuan në qytetin e Pukës.
Ndërsa helikopteri i dytë përfundoi me sukses gjithashtu një mision në fshatin Konaj të Fanit për shpëtimin e një gruaje shtatzënë. Pas një ore ajo u transportua në maternitetin e Tiranës.
Helikopterët ndërhynë duke shpëtuar jetën e një personi në Koman dhe një personi tjetër në Tepelenë.












