Një sasi tepër e madhe droge e magazinuar në Shqipëri është gati për t’u trafikuar në Evropë.
Ky është alarmi që jep gazeta më e madhe në Greqi “Kathimerini”, e cila sot shkruan se më shumë se 15 ton hashash ruhet në vendin tonë në pritje për t’u trafikuar në Evropën Qëndrore dhe Evropën Perëndimore.
“Kathimerini” u referohet burimeve nga Agjencia antidrogë në Greqi pas shpërbërjes së rrjetit të drogës tre ditë më parë që trafikonte në linjën Shqipëri-Greqi-Gjermani.
“Të njëjtat burime thonë se qeveritë evropiane dhe shërbimet e sigurisë do të forcojnë qëndrimin ndaj Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, i cili është akuzuar nga ish-Kryeministri Sali Berisha se po toleron kultivimin e kanabisit”, shkruan Kathimerini.
Këto informacione janë zbuluar pas sekuestrimit të dy kamionëve me 265 kg kanabis në portin e Igumenicës para tre ditësh.
Sipas policisë greke, droga e kishte origjinën nga Shqipëria. Pas imbarkimit në traget, kamionët kishin si destinacion Gjermaninë. Sasia e hashashit të sekuestruar kapte vlerën e mbi 260 mijë Eurove.












