Ministria e Drejtësisë ka publikuar sot kronologjisë e çështjes së Klement Balilit, ku rezulton se “Eskobari i Ballkanit” siç u cilësua nga CNN, është shpallur në kërkim ndërkombëtar që në datën 17 maj të këtij viti.
Sipas PD, prej kësaj date, prej 17 majit, Saimir Tahiri ka qenë nën detyrimin për ta ndaluar Klement Balilin, për të zbatuar urdhrin e kërkimit ndërkombëtar për veprën penale Krijim dhe Drejtim të Organizatës Kriminale, pa pritur më asnjë procedurë tjetër.
“Kjo është një dëshmi se Saimir Tahiri dhe Edi Rama, kanë mbrojtur Klement Balilin prej 8 muajsh. Nesër bëhen saktësisht 8 muaj, që Saimir Tahiri dhe Edi Rama refuzojnë të zbatojnë urdhërin për arrestimin e Klement Balilit”, u shpreh Enkelejd Alibeaj, në emër të PD-së .
Deklarata e plotë, Enkelejd Alibeaj për mbrojtjen që i është dhënë nga qeveria Eskobarit të Ballkanit
Sot, është publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë kronologjia e çështjes së Klement Balilit, ku rezulton se “Eskobari i Ballkanit” siç u cilësua nga CNN, është shpallur në kërkim ndërkombëtar që në datën 17 maj të këtij viti.
Prej kësaj date, prej 17 majit, Saimir Tahiri ka qenë nën detyrimin për ta ndaluar Klement Balilin, për të zbatuar urdhrin e kërkimit ndërkombëtar për veprën penale Krijim dhe Drejtim të Organizatës Kriminale, pa pritur më asnjë procedurë tjetër.
Ja ku është publikimi i Ministrisë së Drejtësisë, e gjeni në faqen e saj zyrtare.
Kjo është një dëshmi se Saimir Tahiri dhe Edi Rama, kanë mbrojtur Klement Balilin prej 8 muajsh. Nesër bëhen saktësisht 8 muaj, që Saimir Tahiri dhe Edi Rama refuzojnë të zbatojnë urdhrin për arrestimin e Klement Balilit.
Kjo pra është lidhja e qeverisë me krimin, ky është inkriminimi në nivelet më të paimagjinueshme.
Kjo është dëshmia që Edi Rama nuk shkëputet nga krimi, nuk zbaton dekriminalizimin që e kërkon edhe Europa si kusht për procesin e integrimit.
Kjo është mbrojtja e drogës, e trafikantëve, e karteleve.
Ne e kemi denoncuar qysh ditën që Edi Rama e emëroi Klement Balilin shefin e transportit të jugut, si emërimin e një personi me të shkuar kriminale, të arrestuar në flagrancë me 750 kilogram drogë.
Por Edi Rama jo vetëm nuk reagoi pas këtij denoncimi, por edhe kur vjen kërkesa për arrestimin e tij, nga gjysma e policive të Europës, nuk e zbaton dhe e mbron atë deri në fund.
Ja pra kush është rreshtuar me krimin, me drogën, me trafikantët, kundër shqiptarëve, kundër interesave të vendit.
Mbi korrespondencën zyrtare të çështjes K. Balili
KRONOLOGJA E VEPRIMEVE
Me mirëkuptimin që përmbajtja e dokumenteve që referohen në këtë përshkrim është sekret dhe nuk mund të publikohen, po paraqesim këtë kronologji të korrespondencës shkresore-zyrtare hyrëse-dalëse të Ministrisë së Drejtësisë mbi çështjen K. Balili.
Këtë kronologji po e rendisim për të sqaruar gjithë opinionin publik mbi veprimet e shpejta të Ministrisë së Drejtësisë të Republikës së Shqipërisë mbi këtë çështje dhe për të shuar çdo spekulim apo dhe aludim që hidhet për këtë histori.
1. Prokuroria e Krimeve të Rënda me shkresë Nr. 112/1 prot, datë 11.05.2016 ka kërkuar përcjelljen e “Letër porosisë” për ndihmë juridike, drejtuar autoriteteve greke të drejtësisë. Kjo kërkesë për ndihmë juridike është administruar në Ministrinë e Drejtësisë, protokolluar me Nr. 2005 Prot, datë 11. 05. 2016.
2. Po në të njëjtën ditë, Prokuroria e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë me shkresë Nr.1572/1 prot, datë 11.05.2016 “Ka sjellë transmetimin e materialit për procedimin penal nr.44, të kërkuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda (i njëjti material i sjellë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda). Edhe kjo shkresë është administruar në MD me nr. 2005/1 prot., dt 11.05.2016.
3. Po në të njëjtën ditë, Ministria e Drejtësisë me shkresë nr. 2005/2 prot, datë 11.05.2016, i ka përcjellë Ministrisë Greke të Drejtësisë “Letër-Porosinë” e Prokurorisë Krimeve të Rënda”, duke e vënë në dijeni edhe këtë të fundit.
4. Me shkresë Nr. 4264KL/6, Prot., FKB, datë 17.05.2016 të Ministrisë së Punëve të Brendshme (Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana), ka njoftuar Ministrinë e Drejtësisë dhe ka vënë në dijeni Prokurorinë e Përgjithshme “Mbi shpalljen në kërkim ndërkombëtar nga Interpol-Athina”, po në datë 17 maj 2016 të shtetasit shqiptar K. B., në bazë të Urdhër Arrestit nr. FE7698, viti 2016, për veprën penale “Krijim dhe drejtim Organizate Kriminale”, me qëllim kryerjen e veprave penale të parashikuara nga aktet Ligjore për drogën sipas legjislacionit penal Grek. Kjo kërkesë e Interpolit është administruar në Ministrinë e Drejtësisë me Nr. 2088 Prot, datë 17.05.2016.
5. Menjëherë/Urgjentisht në të njëjtën ditë, Ministria e Drejtësisë me marrjen e këtij njoftimi me shkresë nr. 2088/1 prot, datë 17.05.2016, ia ka përcjellë Prokurorisë së Përgjithshme dokumentacionin e ardhur nga Interpol Tirana, PËR TË VEPRUAR, në bazë të nenit 38 të ligjit nr. 10193, datë 03.12.2009 “Për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale”.
6. E njëjta “Letër porosi” e sipërcituar e ardhur në MD nga të dy burimet Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Prokuroria e Përgjithshme, me shkresë të Ministrisë së Drejtësisë Nr. 2005/3 prot., datë 25.05.2016, i është ridërguar Ministrisë Greke të Drejtësisë.
Nga data 25 maj 2016 deri në datë 14 nëntor 2016 në Ministrinë e Drejtësisë nuk ka asnjë letër këmbim tjetër mbi këtë çështje.
7. Më datë 14.11.2016 në Ministrinë e Drejtësisë ka ardhur dhe është regjistruar në Protokoll me Nr. 2005/4, datë 14.11.2016 “Materiali i ekzekutimit të letër-porosisë”, i përcjellë në rrugë diplomatike me shkresën Nr. Prot. 558/1, dt. 14. 11. 2016 të Drejtorisë Konsullore të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Pra ky material është në përgjigje të kërkesave që Ministria e Drejtësisë e Republikës së Shqipërisë kërkoi zyrtarisht nga shteti Grek me shkresat nr. 2005/2, datë 11.05.2016 dhe nr. 2005/3, datë 25.05.2016.
8. Po brenda të njëjtës ditë, ky material i përcjellë në rrugë Diplomatike, me shkresën tonë të Ministrisë së Drejtësisë Nr. 2005/5 prot, datë 14.11.2016, ky material i është dërguar menjëherë Prokurorisë së Krimeve të Rënda (dhe është vënë në dijeni Prokuroria e Përgjithshme), me qëllim administrimin e origjinalit të këtyre akteve nga organi procedues dhe vënie të dispozicion të Ministrisë së Drejtësisë të një kopje të materialit me qëllim përkthimin zyrtar të tij.
9. Në përgjigje të shkresës së Ministrisë së Drejtësisë nr. 2005/5 prot, datë 14.11.2016, Prokuroria e Krimeve të Rënda me shkresën Nr. 112/5,Prot. A. L., dt. 16. 11. 2016, e regjistruar në protokollin tonë me Nr. 2005/6 prot., datë 16.11.2016, ka dërguar në MD kopjen e akteve të dërguara nga autoritet Greke me qëllim përkthimin zyrtar të tyre. Materiali shkresor i dërguar përbëhej nga 10-fashikuj në total rreth 1700 faqe në gjuhën greke, për tu përkthyer në gjuhën shqipe.
10. Menjëherë Ministria e Drejtësisë shpërndau materialin për përkthim fillimisht në 10 përkthyes të gjuhës greke, por për shkak të urgjencës, për përkthimin e këtij materiali voluminoz u angazhuan 15 përkthyes, për të realizuar detyrën në një kohë sa më të shkurtër.
11. Materiali i përkthyer, me shkresën e Ministrisë së Drejtësisë Nr. 2005/7 Prot., datë 06.12.2016, ju dërgua Prokurorisë për Krime të Rënda Tiranë, duke vënë në dijeni dhe Prokurorinë e Përgjithshme.
MINISTRIA E DREJTËSISË
Tiranë, 16. 12. 2016











