Komisioni i Jashtëm ka miratuar dje nen për nen projektbuxhetin e Ministrisë së Jashtme për vitin 2017. Gjatë seancës, deputetët e mazhorancës ngritën si shqetësim se Ministria e Jashtme ka lënë pa fonde ambasadat shqiptare, pjesa më e madhe e të cilave nuk ka mundur të realizojë ceremoninë festive të festës kombëtare.
Deputeti i Partisë Socialiste, Namik Dokle, tha se ambasadorëve duhet t’u jepet një zë i veçantë në buxhet, i cili të mos preket, por të jetë vetëm për pritjen e festës së 28 Nëntorit. Deputeti i PS-së tha se ambasadorët fondet e tyre i shpenzojnë në karburant për të shëtitur ministrat në vizitat triditore.
“Meqenëse është një problem që e konsideroj të rëndësishëm, çdo ambasador që në janar duhet të dijë sa fonde ka për 28 Nëntor dhe ato janë të paprekshme për gjëra të tjera. Se pastaj ai i shkreti ça do bëjë, nuk ka, i shkon një ministër dhe do ta shëtisë tri ditë andej-këndej, harxhon karburantin dhe s’ka lekë për festën… Nuk e di nëse ligji e ka tani, por nëse nuk e ka, do të kërkoj që në buxhet të caktohet që të jetë një fond për festën dhe të shpenzohet në mënyrë strikte vetëm për festën kombëtare dhe jo për karburante, jo për goma, apo nuk e di se çfarë”, u shpreh Namik Dokle.











