Policia e Krujës ka arrestuar shoferin e një furgoni, që dje në Bilaj të Krujës u rrezikoi jetën disa nxënësve të shkollës, pasi u përplas me furgonin e tyre duke e përmbysur në kanal.
Shoferi Gaspër Nika 53 vjeç, banues në Thumanë, u arrestua në vendin e ngjarjes, menjëherë, por po ashtu, policia nisi procedimin në gjendje të lirë edhe ndaj shoferit që transportonte fëmijët,, E.K. 50 vjeç nga Tirana, që çuditërisht u largua nga vendi i aksidentit.
Aksidenti ndodhi dje, më 13 dhjetor, rreth orës 14:00, në segmentin Ura e Gjolës –Fushë Krujë, pranë fshatit Bilaj.
Gaspër Nika ishte duke drejtuar furgonin me targa AA 580 FE kur papritur ka humbur kontrollin dhe është përplasur me makinën që transportonte nxënësit me targa AA 179 AK, që drejtohej nga E.K, shoferi nga Tirana.
Furgoni me nxënës ra në një kanal dhe një prej tyre, një vajzë 12 vjeçe me iniciale F.A. pësoi fraktura në krah, por është jashtë rrezikut për jetën.
Tashmë, shoferët akuzohen: I arrestuari Nika për “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”ndërsa shoferi i furgonit me nxënës, për “largim nga vendi i aksidentit”.












