
Në përgjigje të letrës “personale” (lexo: joprofesionale ) të zonjës ministre të arsimit:
Së pari, do të dëshiroja të më drejtoheshit me “zonja Alketa” dhe aspak “e dashur Alketa” , sepse në këto tre-katër vite, “reformat” tuaja arsimore, jo vetëm nuk më kanë qenë të afërta dhe të kujdesshme sa komunikimi ynë të ishte i llojit personal e shoqëror, por përveç stresit që më kanë sjellë (siç e pohoni edhe vetë), më kanë zvjerdhur përfundimisht shpresën se në këtë vend mendon dikush për të vlerësuar moralisht e materialisht profesionistët dhe intelektualët.
Ju mburreni se keni larguar 600 tekste me probleme të rënda dhe keni futur tekste të standardeve europiane dhe harroni të theksoni se thjesht latë në qarkullim një pjesë të teksteve që ishin dhe çliruat prej konkurrencës dhe favorizuat disa shtëpi botuese të privilegjuara. Harruat se këtë vit mësimor, vetëm për tekstin e gjuhë-letërsisë për klasat e dhjeta u imponua “Albass” si alternativa e vetme në përzgjedhje ?!
Ju, zonja ministre mburreni se iu kundërvutë ndikimit të politikës dhe të korrupsionit në emërimet në arsim; por mund t’ju ketë zënë amnezia nëse nuk kujtoheni se “konkurset” tuaja për drejtorë shkollash, nëndrejtorë etj “i fituan” anëtarët e kryesive dhe eksponentë të ps dhe lsi ; dhe se pavarësisht testimit kombëtar, për një vend pune si mësues, fituesve të këtij testimi u duhet të kalojnë nëpër “dyer” të tjera .
Së fundi, më thoni se vitin që vjen do të më rrisni pagën me 10 %, por nuk më qani hallin se kjo shtesë nuk më indekson as inflacionin e katër viteve të qeverisjes suaj, as më zëvendëson pagën e 13-të që më premtuat, madje as 10 mijë lekëshin shpërblim në fund të vitit, që e kisha dhe ju ma vodhët ….
Në vend të përshëndetjes, doja t’ju uroja që Krishtlindjet dhe Vitin e Ri t’i kaloni me mbetjet e një page mujore prej 45 mijë lekësh të reja !
Mirë u dëgjofshim në 18 qershor 2017 !”












