Deputetët e grupit parlamentar të PS debatuan dje mbi marrëdhëniet me aleatin kryesor në qeverisje, LSI-në. Shkak për këtë ishte propozimi që LSI ka bërë për heqjen e akcizës për gazin që përdoret për automjetet, propozim i Ministrisë së Financave.
Erjon Braçe kërkoi bisedime dhe negociata me LSI-në, që maxhoranca të mos dalë me dy qëndrime.
Jo vetëm kaq, por ai akuzoi edhe drejtorinë rajonale në Lushnjë për favorizim të fermerëve të kësaj partie në shpërndarjen e vaksinave për sëmundjen e dermatozës nodulare.
“Unë do të thosha se ndonjë duhet arrestuar që të tregojmë shembullin tonë për të mbrojtur interesin e qytetarëve”, mësohet të jetë shprehur midis të tjerave Erion Braçe.
Debati në grupin parlamentar të PS
Gramoz Ruçi:
Doja të falënderoja deputetët dhe ministrat për debatin në seancën e kaluar, për projektbuxhetin në parim. Përgatitja dhe cilësia e debatit të përfaqësuesve tanë ishte e dukshme. Dua t’ju lajmëroj se nuk do të ketë seancë këtë javë, edhe pse fillimisht u mendua që ajo të mblidhej të mërkurën, pasi e enjtja është pushim. Kjo kohë, deri seancën e ardhshme, duhet të shërbejë për të përmbyllur me sukses debatin nen për nen për buxhetin.
Erjon Braçe:
Zoti Ruçi, në lidhje me rritjen e akcizës së gazit për automjetet, unë jam dakord që ajo të rritet. Por kur shoh aleatin tonë, duket sikur PS kërkon të rëndojë qytetarët me taksa dhe LSI sikur kërkon t’i ruajë nga rritja e taksave. Ne duhet të sqarojmë qytetarët përse po vendoset akciza. Për këtë duhet të ulemi me LSI-në dhe të flasim, sepse ata propozojnë heqjen e akcizës dhe ne vendosjen e saj. Mendoj se ne duhet të sqarojmë më mirë në publik se cili është qëllimi i vendosjes së akcizës.
Damian Gjiknuri:
Qëllimi i vendosjes së akcizës është që demotivojmë qytetarët që të shkojnë të mbushin bombolat në pikat e karburanteve, sepse në këtë mënyrë ato nuk kolaudohen dhe janë objekt i shpërthimit dhe aksidenteve me pasoja. Nëse çmimi i gazit edhe për automjetet do t’i afrohet gazit për familjarët, ku pikat e tregtimit shesin bombola të kontrolluara, atëherë nuk do të ketë asnjë motiv që gazi për familjarët të mbushet në pikat e karburantit, aty ku mbushin automjetet. Sot kjo nuk lejohet, por s’mund ta kontrollojmë. Akciza nuk ka qëllim rritjen e të ardhurave, sepse nuk ndikon në buxhet.
Erjon Braçe:
Doja të tërhiqja vëmendjen edhe për një fenomen që po ndodh në zonën e Myzeqesë. Drejtorët rajonalë po sjellin kosto për qeverisjen. Drejtoria Rajonale e Bujqësisë në Lushnjë ka shpërndarë vaksina për dermatozën nodulare vetëm te fermerët e LSI-së, duke krijuar pakënaqësi te fermerët e tjerë. Kush është ky drejtor që del mbi interesat e maxhorancës dhe programin e qeverisë dhe Ministrisë së Bujqësisë? Po ashtu edhe mjekët e komisioneve të KEMP-eve po krijojnë probleme të paqena për qytetarët. Qytetarë që duket se janë të paaftë, u refuzohet KEMP-i. Përse nuk bëhen kontrolle nga instancat e varësisë? Unë do të thosha se ndonjë duhet arrestuar që të tregojmë shembullin tonë për të mbrojtur interesin e qytetarëve.
Arben Çuko:
Shqetësimi i Erjonit për vaksinimin e gjedhit qëndron dhe favorizime të tilla ka dhe në zona të tjera të Myzeqesë.











