PD i ka kërkuar sot ministrit të brendshëm Saimir Tahirit, të lërë dënglat dhe propagandën, dhe të mbrojë viktimat e dhunës.
Në emër të PD-së, Enkelejd Alibeaj, ka bërë përgjegjës konkret ministrin e Brendshëm për vrasjen e gruas në Fier, sipas të cilit Tahiri i cili, gjen policë për të ndëshkuar një parkim makine dhe nuk gjen policë për të mbrojtur gratë, me urdhër mbrojtje nga gjykatat.
“Sot është zbuluar me prova e fakte se viktima Liliana Ruko kishte urdhër mbrojtje nga Gjykata, pra që ta mbronte nga bashkëshorti që i mori jetën.
Sot që u publikua ky vendim, që tregon se Policia nuk ka bërë detyrën, Saimir Tahiri krekoset dhe jep mend, bën si i dhembshur dhe thotë se fajin e paskan të tjerët, e paska politika!!
Kjo është një përgjegjësi konkrete, e tija dhe vetëm e tija. Sepse ai mban përgjegjësi kur policia nuk zbaton një vendim gjykate, kur nuk mbron një grua të kërcënuar në mënyrë sistematike.
Me dhjetëra policë sulen për një makinë të parkuar keq, apo për ti hapur rrugën atij dhe udhëheqësve të tjerë, por nuk gjendet një polic për të mbrojtur jetën e një gruaje.
Ti lërë dënglat e të mbajë përgjegjësi, sepse është direkt përgjegjës për humbjen e jetës së gruas në Fier”, u shpreh Alibeaj.













