“Fitore populiste në zemër të Europës. Një fitore e kuptueshme për rritjen e fuqisë populiste pak javë pas fitores së Donald Trump. Italia drejt një faze paqartësie politike e ekonomike”.
Këto janë disa nga komentet e para të mediave amerikane menjëherë pas fitores Jo të referendumit në Itali.
“Washington Post” krahason fitoren “jo” të referendumit në Itali me fitoren e republikanit Donald Trump në Amerikë. “Një fitore që demonstron rritjen e forcave populiste në Itali”, shkruan e përditshmja amerikane.
“New York Times” paralajmëron “se Italia do të gjendet përballë një krize financiare me bankat plot borxhe e në rrezik falimentimi e pa stabilitet politik. E gjitha kjo, thekson e përditshmja amerikane do të ketë influencë në të gjithë Bashkimin Europian në të cilin ekziston një frymë e fortë anti-stabilishment.
E përditshmja financiare amerikane “Wall Street Journal” kometon fitoren “jo” të Referendumit në Itali si një “fitore populiste në zemër të Europës.
Për “Wall Street Journal”, fitorja e Jo në Itali vë në rrezik të gjithë Eurozonën. Thellohet ndarja mes kontestit ekonomik që duhet për të mbështetur monedhën e përbashkët europiane e masës populiste gjithnjë e në rritje në kontinent”.











