Ministri grek i Mbrojtjes Panos Kamenos pas retorikës nacionaliste, ka bërë një hap pas dhe është tërhequr nga deklaratat e tij ku fliste për fuqinë ushtarake të Greqisë në raport me Shqipërinë dhe Turqinë.
“Greqia nuk ka qenë asnjëherë luftarake. As tani nuk është. Këtë le ta dëgjojnë disa në Lindje, por edhe ata në kufijtë tanë veriorë”, është shprehur sot Kamenos duke iu referuar Turqisë dhe Shqipërisë.
Në një aktivitet në shkollën ushtarake të Greqisë, ministri i Mbrojtjes u shpreh se forcat greke të armatosura janë faktor që garantojnë unitetin dhe bashkimin e shtetit helen dhe janë të gatshme çdo ditë për të mbrojtur interesat e vendit dhe të drejtat e qytetarëve grekë.
Tre ditë më parë, Panos Kamenos, i veshur me rroba ushtarake në një fshat pranë kufirit me Shqipërinë, u shpreh se çamët kanë qenë bashkëpunëtorë të nazizmit dhe deklaratat e Kryeministrit Edi Rama për këtë çështje janë për konsum të politikës shqiptare.












