Foto Arkiv
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, njëkohësisht Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, ka uruar sot,104-vjetorin e Ushtrisë Kombëtare.
Sipas tij, me aq mundësi ushtarake sa kemi pasur, kemi siguruar mbijetesën dhe integritetin kombëtar.
Ndërkohë, me Forcat e Armatosura po ecim pa u ndalur drejt një të ardhme të sigurt, u shpreh më tej Presidenti.
Mesazhi i plotë i Presidentit Bujar Nishani
Zotërinj oficerë, nënoficerë, ushtarë, aviatorë, marinarë,
Pas 28 Nëntorit të lavdishëm, ditës se shpalljes së Pavarësisë, 4 Dhjetori 1912 është data që shënon një ndër aktet më madhore në historinë e shtetit shqiptar, krijimin e Ushtrisë Kombëtare.
Edhe pse jo e institucionalizuar, qëndresa ushtarake e shqiptarëve nuk ka qenë kurrë zero.
Me aq mundësi ushtarake sa kemi pasur, kemi siguruar mbijetesën dhe integritetin kombëtar.
Shqipëria ka sot një Ushtri profesioniste, që forcohet dita-ditës, duke pasur synime të qarta për përsosjen dhe modernizimin e saj.
Sot Forcat tona të Armatosura kanë historinë e vet.
Kanë martirët dhe dëshmorët e vet.
Nderim përjetë kontributit dhe sakrificës së tyre!
4 Dhjetori, për të gjithë ushtarakët dhe për të gjithë popullin është një ditë për të shprehur respektin, mirënjohjen dhe për të nderuar gjithçka bënë heronjtë e vërtetë, duke hapur rrugën e krijimit të ushtrisë moderne të Shqipërisë që sot renditet në Aleancën më të madhe politike dhe ushtarake e më të suksesshme të të gjitha kohërave, atë të Atlantikut të Veriut.
Tashmë e kemi gjetur udhën.
Po ecim pa u ndalur drejt një të ardhmeje të sigurt me Forca të Armatosura që kryejnë më së miri rolin e vet në botën e sotme të turbullt me plot të papritura.
Kishim ushtri “të madhe”, por nuk kishim Liri dhe eksportonim konflikt.
Kemi ushtri “të vogël”, por kemi Liri dhe eksportojmë paqe.
Garantojmë sigurinë e vendit.
Kemi pjesëmarrje shembullore në misione ndërkombëtare.
Forca dhe vitaliteti i Forcave të Armatosura qëndron te demokracia dhe liria.
Të nderuar anëtarë të Forcave të Armatosura,
Si Komandant i Përgjithshëm, ju uroj nga zemra,
Gëzuar përvjetorin e Forcave të Armatosura!
Gëzim e lumturi personale dhe familjare!
Suksese në misionin tuaj fisnik e të pazëvendësueshëm!












