Edhe pse kanë kaluar disa muaj nga gjetja e trupit të vdekur të Besnik Pudjes me një plumb në kokë, Prokuroria nuk përcakton dot që viktima është vrarë apo vetëvrarë. Kjo për shkak se ekspertët e mjekësisë ligjore dhe ato të policisë shkencore, kanë nxjerrë dy versione të ndryshme. Pritet përfundimi i disa ekzaminimeve të tjera për të konstatuar shkakun e vdekjes së Pudjes në kapanonin e tharjes së hashashit.
Ekspertiza e Mjekësisë Ligjore, nuk përcakton nëse Besnik Pudja është vrarë apo vetëvrarë në kapanonin e hashashit në Kollgjesh të Shëngjergjit.
Prokuroria e Tiranës, raporton ANC News, tashmë ka administruar në dosjen e saj ekspertizën e Mjekësisë Ligjore, e cila ka renditur në disa faqe konkluzionet e ekzaminimit të trupit të besnik Pudjes, i gjetur i vdekur në nja kapanon të sajuar për tharjen e hashashit më 7 Tetor në Kollogjesh të Shëngjergjit. Sipas ekspertëve, nga ekzaminimi i kryer i mekanizmit të qitjes dhe përshkrimit të hyrjes dhe daljes së plumbit në kokën e Besnik Pudjes, nuk përcaktohet dot nëse viktima është vrarë apo vetëvrarë. Kjo edhe për faktin se është konstatuar se plaga e hyrjes është më e vogël se ajo e daljes së plumbit, duke krijuar idenë se qitja është bërë me puthitje, ose thënë ndryshe me grykën e armës të vendosur në kokë. Nga ana tjetër, ekspertët kriminalistikë të policisë janë të bindur se Besnik Pudja është vetëvrarë, kjo për faktin se në duart e tij janë gjetur mbetje baruti që dyshohet se i kanë mbetur pas shkrepjes së armës.
Prokuroria, duke parë dy versioneve të ndryshme të ekspertëve, ka vendosur të presë përgjigjen edhe të analizave të tjera, të cilat po kryhen për këtë ngjarje. Burimet thonë se po presin përgjigjen e analizave të gjakut dhe urinës për të parë sasinë e alkoolit që kishte konsumuar Besnik Pudja. Kjo për të provuar dëshmitë e të arrestuarve, punëtorëve të kapanonit të tharjes së hashashit, të cilët kanë pretenduar se në momentin e shkrepjes së armës, Besnik Pudja ishte në gjendje të dehur. Deri në përfundimin e ekzaminimeve të tjera, për prokurorinë ende nuk dihet nëse Besnik Pudja është vrarë apo vetëvrarë.













