Amendamentet e miratuara dy ditë më parë në Dhomën e Deputetëve në Itali rrezikojnë të zhysin njëherë e mirë sektorin e call center, në vend që ta nxjerrin nga kriza. Kështu deklaron Paolo Sarzana, zëvendëspresident i “Assocontact”, i cili thotë se nuk është aspak i kënaqur me ato që parashikon ligji i ri për operimin e shërbimit call center jashtë territorit, që shtrëngon kushtet për zhvendosjen e kompanive call center në një territor jo të Bashkimit Europian.
Ai shpreson që Senati të ndërhyjë për të modifikuar disa nene me qëllim që ligji të mos jetë në favor të zhvendosjes së aktivitetit në vendet e BE-së, siç është Rumania, në dëm të kompanive italiane tashmë të pranishme në vendet jashtë BE-së, si Shqipëria.
Kujtojmë se nëse ky ligj kalon në Senat më 6 dhjetor rrezikon 25 mijë të punësuar në 847 ndërmarrje call center në Shqipëri.
Sarzana, amendamenti përpiqet të kufizojë zhvendosjen e aktivitetit “call center” në vende jashtë BE-së për të mbrojtur përdoruesit dhe punëtorët. Pse nuk ju bind ky ligj?
Çështja është shumë më komplekse se sa kaq. Kam lexuar titujt që thonë “Stop atyre call center-ave të poshtër”, ndërkohë që kjo industri është në krizë. Ky amendament nuk është zgjidhje, rrezikon vetëm ta rëndojë më keq situatën.
Pse?
Këto amendamente me të vërtetë vështirësojnë vendosjen e call center në vende jashtë BE-së, si Shqipëria, ku flitet italisht dhe ka mjaft ndërmarrje të tilla aktive, por nga ana tjetër i hap rrugë vendosjes së aktivitetet në vende si Rumania p.sh që është pjesë e BE-së, por situata edhe atje është e keqe.
Rumania dhe Shqipëria kanë të njëjtat kushte: kostoja e punës është e ulët dhe flasin italisht mirë. I vetmi ndryshim është se Rumania i përket Bashkimit Evropian dhe Shqipëria jo. Nëse kanë votuar për të mbrojtur punëtorët italianë, kjo nuk është një gjë e mirë, aktiviteti sërish do zhvendoset. Bizneset që ndodhen sot në Shqipëri nuk do kthehen në Itali, por do të shkojnë në Rumani.
Kompanitë “call center” akuzohen se zhvendosin aktivitetin jashtë Italisë, për shkak se kostoja e punës është shumë më e ulët se në Itali…
Kostoja më e ulët e punës shërben për të prodhuar një marzh fitimi që të jetë në gjendje të mbulojë humbjet që kemi në Itali. Ajo që është e sigurt është se nëse rregullat hyjnë në fuqi, përpjekjet tona për të mbuluar humbjet do jenë të kota.












