Politikanët shqiptarë po financohen nga trafiku i drogës ka deklaruar Ministri i Jashtëm i Greqisë Niko Kotzias duke renditur akuzën më të fortë ndaj Tiranës zyrtare në vijim të një debati mes Shqipërisë dhe Greqisë.
“U kemi thënë që të marrin rrugën për anëtarësim në Bashkimin Europian, që me kaq zemërgjerësi iu dha statusi në të kaluarën. Do të duhet të implementojnë politika kundër krimit të organizuar dhe të luftojnë drogën, sepse është vendi i parë në botë për prodhimin e drogës dhe shumë politikanë ndoshta financohen nga ky aktivitet”, tha Ministri i Jashtëm grek gjatë një takimi në Selanik.
Më tej duke folur për mardhëniet Athinë-Tiranë, kreu i diplomacisë greke nënvizoi se elita politike shqiptare ka treguar qartë shenja nacionalizmi të tepruar. “Edhe refuzimi i tyre për t’i dhënë nënshtetësinë shqiptare kryepeshkopit Anastas, është tregues i kësaj tendence”, është shprehur Kotzias përpara audiencës, sipas abcneës.
“Në Janar fillon zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet e Qershorit. Ne u kemi rekomanduar që në atë periudhë t’i ulin tonet, të kufizojnë nacionalizmin dhe të respektojnë edhe marrëveshjet ndërkombëtare dhe konventat që parashikojnë një sërë të drejtash për minoritetin autokton grek në Shqipëri”, ka deklaruar Ministri i Jashtëm grek.
Këto deklarata të Kotzias vijnë pas intervistës së kryeministrit Edi Rama për televizionin grek Skai, ku sqaroi çështjen e prishjeve të banesave në Himarë dhe kërkoi nga Greqia që të heqë ligjin e luftës.











