Ergi Dini – Kejdi Halili
Përfundon tragjikisht xhiroja me motor e dy të rinjve, në mes të Tiranës. Kejdi Halili, 21 vjeç, dhe fituesi i “X Factor”, Ergi Dini, 22 vjeç, janë dy viktimat e ngjarjes së rëndë.
Aksidenti fatal u shënua rreth orës 21:20, në bulevardin “Bajram Curri”, pranë urës së “Bllokut” në kryeqytet.
Dy djemtë mësohet se po udhëtonin në motorin me targa AP 105. Policia në vendin e ngjarjes mori dëshmitë e udhëtarëve të rastit, të cilët kishin parë se, sapo kishte dalë nga rruga e Bllokut për në bulevard, pikërisht para Ambasadës Ruse, drejtuesi i mjetit e ka ngritur motorin në gomën e parë, raporton “Panorama”.
Por, kjo lëvizje ka provokuar humbjen e kontrollit të motorit dhe të dy, si shoferi dhe pasagjeri, janë rrëzuar. Nga përplasja e fortë me bordurën e trotuarit të dy djemtë kanë marrë plagë të forta.
Drejtuesi i motorit, i cili pohohet se ka qenë Halili dhe pasagjeri, këngëtari Ergi Dini, u dërguan menjëherë në Spitalin Ushtarak, në gjendje të rëndë shëndetësore.
Pas rreth 30 minutash, të dy djemtë kanë ndërruar jetë në Spitalin Ushtarak, si pasojë e plagëve të shumta që kishin marrë. Në vendin e ngjarjes mbërriti policia, patrullat e së cilës janë të stacionuara shumë pranë vendit të fatkeqësisë.
Këngëtari 22-vjeçar, i njohur pas fitores në konkursin “X Factor”, ishte kthyer disa orë më parë nga Italia.
Paraprakisht dyshohet se dy të rinjtë nuk mbanin kaska në kokë, çka ka rezultuar fatale për ta. Gjithsesi, Policia po punon për zbardhjen e ngjarjes së rëndë, që shkaktoi humbjen e jetës së këngëtarit Dini dhe mikut të tij, Kejdi Halili i cili deklaronte dhe në publik se e pëlqente shpejtësinë, madje në një status në profilin e tij në “Instagram” e theksonte këtë fakt.












