Në kohën kur fshatra dhe komunitete në Mirditë janë të izoluara, me rrugë të prishura dhe pa energji, në varfëri e skamje, Edi Rama bën propagandë me fasada dhe jep 1.7 milionë euro për qendrën e qytetit.
“Nuk është aspak normale që të investohen për Qendrën e qytetit të Rrëshenit 1.7 milion euro në një kohë që të gjitha Njësitë Administrative të Mirditës janë të izoluara për shkak të rrugëve të shkatërruara”.
Ky ishte reagimi i deputetes së Partisë Demokratike Albina Deda një ditë pas vizitës së Kryeministrit Rama në Mirditë.
“Ky investim nuk mund të jetë prioritet për Mirditën. Sheshi ishte i investuar edhe më parë nga pushteti lokal. Ishte në një gjendje të mirë, por jo prioritet, duke parë gjendjen e mjerë të rrugëve që lidhin njësitë administrative. Sot të gjitha rrugët janë në një gjendje të mjerueshme, janë në gjendje katastrofë”, tha Deda.
Deputetja e Partisë Demokratike në Mirditë i ka bërë thirrje qeverisë që t’i kthejë sytë nga fshatrat e kësaj zone, pasi banoret janë në mëshirë të fatit nga mungesa e investimeve.












