Kreu i LSI-së, Ilir Meta, ka votuar sot në orën 11:30 në selinë e LSI për kryetarin e kësaj partie si dhe për delegatët e Konventës Kombëtare. Ai garon vetë për postin me kolegët Përparim Spahiu dhe Shezai Rrokaj.
I pyetur për ndonjë surprizë të mundshme për rezultatin, Meta deklaroi se, “Për mua më rëndësi është mbajtja e procesit dhe shkalla e pjesëmarrjes dhe kjo duhet të jetë sa më reale dhe ndaj në çdo komision votimi janë dërguar vëzhgues nga qendra për të garantuar cilësinë e për të shmangur çdo lloj efektiviteti por edhe për të parë shkallën e motivimit”.
Ndërkaq Meta bëri publik faktin se në datën 3-4 dhjetor do të mbledhë Konventën Kombëtare të LSI-së, ku siç duket do të vendoset edhe rruga që kjo parti do të ndjekë në zgjedhjet e vitit 2017 e më tej.











