Ministria e Jashtme e Greqisë ka dënuar prishjen e shtëpive të banorëve të Himarë, duke e cilësuar këtë situatë të papranueshme. Në deklaratën për mediat që ka publikuar në faqen e saj zyrtare në internet, Ministria e Jashtme thotë se Qeveria shqiptare duhet të ndalë këtë fenomen.
“Po ndjekim me shqetësim të madh atë që po ndodh në Himarë, ku informohemi se 19 familjeve të minoritetit grek u është dhënë 5 ditë afat që të largohen nga shtëpitë e tyre pasi do të shemben. Autoritetet shqiptare duhet të veprojnë për të anuluar shembjet e tjera të banesave”, theksohet në deklaratë.
Ministria e Jashtme e Greqisë ka kërcënuar edhe me bllokim të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, në rast se nuk respektohen të drejtat e minoriteteve.
“Mbrojtja e të drejtave të pronësisë veçanërisht ajo e minoriteteve, është një pjesë e 5 kushteve të vendosura nga Bashkimi Evropian për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë. Prandaj, në qoftë se Shqipëria dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Europian, duhet të tregojë që vepron si një shtet ligjor duke mbrojtur nga arbitrariteti dhe veprimet e paligjshme të drejtat e të gjithë banorëve pavarësisht kombësisë dhe origjinës”, thuhet në deklaratë.












