Pamje nga vendi i aksidentit
Dy të rinj shqiptarë janë plagosur mbrëmjen e djeshme në Itali, pasi makina me të cilën udhëtonin doli nga rruga dhe u përplas me një pemë. Aksidenti ndodhi pak pas mesnatës në parkun “Nënë Tereza” në Romë, teksa 5 të rinj, 3 italianë dhe 2 shqiptarë, ktheheshin nga një festë.
Sipas mediave italiane, drejtuesi 18-vjeçar i makinës tip Mini Cooper humbi jetën, ndërsa dy shqiptarët 18 dhe 21 vjeç u transportuan në spital, prej ku mësohet se janë jashtë rrezikut për jetën.
Si pasojë e përplasjes së fortë, të rinjtë u bllokuan brenda makinës dhe forcat zjarrfikëse u detyruan të prisnin pjesët metalike të mjetit për të bërë të mundur nxjerrjen e tyre. të pestë të rinjtë u nisën menjëherë në spital, por fatkeqësisht i riu që drejtonte makinën nuk arriti të mbijetonte.
Shkaqet e aksidentit janë ende të paqarta, ndërsa autoritetet italiane po punojnë për të zbardhur ngjarjen.












