Një rast tronditës u shënua në qytetin e Beratit, kur një adoleshent i dha fund jetës pasi nuk i duronte talljet nga shokët e tij të klasës. Bulizimi mori një tjetër jetë në Shqipëri, ndërkohë që për këtë çështje flitet shumë pak.
Sipas gazetës Panorama, P.Xhaferaj, 17 vjeç, nuk i duronte dot talljet e shokëve, të cilët e quanin “fshatar”. Viktima kishte dy vite që kishte ardhur në qytet për të studiuar në shkollën profesionale, pasi në fshatin e tij nuk kishte shkollë të mesme.
Çdo ditë, adoleshenti udhëtonte nga fshati Tomorr në drejtim të qytetit. Por shokët e mbanin larg tyre, pasi e konsideronin “fshatar”. Diçka e tillë kishte shkaktuar një traumë emocionale tek 17-vjeçari, që i dha fund jetës duke pirë fostoksinë.
Policia ka marrë në pyetje disa nga nxënësit, që kanë konfirmuar se ditët e fundit ai ishte në gjendje të rënduar emocionale. Nxënësit pranuan se ai ishte subjekt tallje. Megjithatë policia nuk përjashton edhe pista të tjera hetimi.












