Dom Gjovalin Suka, ishadministrator i Famullisë Shën Stjefni në Shkodër ka qenë dëshmitari i radhës në çështjen e Mark Frrokut. Ky është dëshmitari i gjashtë në këtë çështje, i thirrur nga Prokuroria. Mirëpo, si të gjithë dëshmitarët e tjerë, edhe Dom Gjovalin Suka ka dëshmuar pro Mark Frrokut. Ai ka treguar se Mark Frroku dhe familjarët e tij kanë bërë një betim te Kapela e Varrezave të Majit se nuk kishin dorë në vrasjen e Aleksandër Kurtit. Sipas priftit. ‘betimi’ në të tilla raste bëhet për të shuar konfliktet mes familjeve dhe se një njeri që bën “be”në, sipas Kanunit është i pastër për atë që akuzohet. Këtë fakt e ka pretenduar më herët edhe i pandehuri Frroku dhe në seancën e së martës e përforcoi edhe Dom Gjovalin Suka i thirrur nga Prokuroria. Ky është ndoshta rasti i vetëm në drejtësinë shqiptare, ku thirret për të dëshmuar në një gjyq penal një prift, i cili shpjegon ritet liturgjike dhe kanunore, të cilat nuk mund të merren për bazë në një proces gjyqësor, rregullat e zhvillimit të të cilit i përcakton Kodi i Procedurës Penale dhe Kodi Penal.











