Aleati i Ramës, Paskal Milo, kreu i Partisë Demokracia Sociale, ka dalë publikisht kundër ligjit për importin e plehrave dhe në mbrojtje protestave të shoqërisë civile. Në një intervistë për gazetën “Shekulli” ai e quan të nxituar ligjin për importin e mbetjeve dhe shton se kjo që ka bërë Edi Rama, mund të ketë dhe pasoja të rënda në zgjedhjet e ardhshme.
Ai nuk ka besim se maxhoranca do të reflektojë, pasi sipas tij, po e mbrojnë ligjin me propagandë. Për të ligji në fjalë jo vetëm është i nxituar, por edhe i nxitur nga interesa të dyshimta që cenojnë interesin kombëtar dhe atë të qytetarëve. “Për mua ka një mungesë transparence në veprimet e qeverisë me këtë ligj dhe kjo mungesë transparence ka bërë që në mendjen e qytetarëve, nuk dua të flas për reagimin e opozitës, por të njerëzve të thjeshtë ka një shqetësim. Qeveria nxitoi ta votonte këtë ligj pa sqaruar qytetarët, pa bërë një punë të kujdesshme për t’i bindur për të kundërtën e asaj për të cilët ata kanë dalë në protestë. Pra, kjo ngarkon me shumë përgjegjësi qeverinë, e cila për më tepër duhej të argumentonte se çfarë ka ndryshuar në këto tre vjet që u desh sjellja sërish e një ligji, të cilin kur ajo ishte në opozitë e kundërshtoi fuqishëm dhe sa erdhi në pushtet e anuloi. Pra argumentet se diçka ka ndryshuar, se janë krijuar rrethana të reja nuk kanë bazë të fuqishme për të argumentuar se ky ligj është i dobishëm’ thotë ai.
Sipas tij, duhet sqaruar se për kë u bë ky ligj, u bë për të ruajtur mjedisin, apo për të plotësuar interesat e një grupi të caktuar apo industrie të caktuar prapa të cilës qëndrojnë njerëz. “Cilët janë këta që qëndrojnë prapa industrisë së riciklimit të mbetjeve? Ai i di opinioni publik çfarë përfaqësojnë ata? Po ata që do t’i sjellin për të pastruar mbetjet e tyre, hauret e tyre, cilët janë? Qeveria para se të ndërmerrte këtë nismë të dyshimtë dhe të shpejtë duhej që të sqaronte opinionin publik shqiptar, jo me ato argumentet që duket që janë më tepër propagandë, por t’i sqaronte për problemet thelbësore, çfarë ka ndryshuar, pse është i dobishëm, kush qëndron mbrapa dhe cilat janë përfitimet. Kjo nuk duhet të bëhej në formën e një propagande blitzkrieg¬u, por me durim dhe të sqaroheshin njerëzit. Fakti që u nxituan kaq shumë për ta miratuar sa më shpejt ligjin tregon se ka diçka që i ka nxitur të veprojnë kështu. Nuk janë thjesht ato shifrat që jepen se kaq do jenë përfitimet për një vit, se do shpëtojmë industrinë nga falimenti e tij” tha ai.











