Një çift shqiptarësh është vënë nën prangat e karabinierisë italiane, në zonën e Ponte San Giovanni në Perugia gjatë një kontrolli në rrugët e zonës.
Prangosja e tyre, sipas mediave lokale, mësohet se u bë pasi në makinën me të cilën ata udhëtonin, janë gjetur më se 110 gram kokainë e një cilësie shumë të lartë. Sipas analizave të kryera në laboratorin e komandës së karabinierisë, nga mediat italiane të cilat ju referohen burimeve zyrtare, mësohet se pastërtia e kokainës ishte 84%.
Të njëjta burime saktësuan se nga sasia e sekuestruar mund të bëheshin 600 doza.
Arrestimi i çiftit (identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur) është cilësuar i vlefshëm nga gjykata dhe të dy shqiptarët janë lënë pas hekurave në burgun e Capanne-s, Perugia.











