Aeroporti i Frankfurtit në Gjermani është duke u evakuuar për shkak të një alarmi për bombë.
Gazeta “Bild”, bën të ditur se një pasagjer është pikasur me një pajisje shpërthyese, teksa përpiqej të kalonte kontrollet e sigurisë.
Një pjesë e konsiderueshme e “Terminalit 1” në këtë aeroport është boshatisur nga udhëtarët, teksa operatori që shërben në të njoftoi se një pasagjer kishte kaluar nga ana e pistës pa përfunduar totalisht kontrollin e sigurisë.
“Policia federale ka boshatisur zonat ‘Piers A dhe A+’, ndërsa pasagjerët do t’u nënshtrohen sërish kontrolleve”, tha “Fraport” për “Reuters”. Një zëdhënëse e këtij operatori shtoi se shkelja e kontrolleve të sigurisë mund të sjellë si pasojë edhe shtyrje të disa fluturimeve nga ky terminal, që përdoret më së shumti nga linja ajrore “Lufthansa”.











