Shqiptari i masakruar në Greqi
Një emigrant shqiptar 41 vjeç është dërguar në gjendje të rëndë në spital. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në rajonin e Patras në Greqi. Sipas medieve greke, mësohet se dy persona 55 dhe 27 vjeç, babë e bir e kanë masakruar shqiptarin.
Sipas policisë greke, shqiptari kishte shkuar për të vjedhur në banesën e grekëve. I pari që e ka vënë re ka qenë djali 27-vjeçar i cili ka goditur shqiptarin fillimisht me një dru, e më pas me çfarë të mundin.
Pas kësaj, shqiptari është dërguar në gjendje të rëndë në spital, ndërsa policia ka shkuar dhe e ka arrestuar atë për tentativë vjedhje dhe qëndrim të paligjshëm në vend.
Ndërkohë, mësohet se edhe shqiptari ka paditur dy sulmuesit e tij, ndërsa policia ka vënë në pranga 55-vjeçarin grek dhe po heton në gjendje të lirë djalin 27-vjeçar.












