Policia e Torinos ka sekuestruar 25 kg kokainë, të një cilësie shumë të pastër, sasia më e madhe e kapur ndonjëherë në qytetin verior. Në prangat e policisë ranë 4 shqiptarë, identiteti i të cilëve nuk bëhet ende i ditur. Sipas gazetës italiane “La Republica”, grupi është i lidhur me familjen Çapja nga Elbasanit, e njohur jo pak në media për shkak të vrasjeve të ndërsjella.
Operacioni u ndërmor pas hetimeve për një periudhë të gjatë dhe me arrestime të mëparshme. Arrestimi i parë është kryer më 12 maj, kur policia ka ndaluar shtetasin Sajmir Serjani, i njohur si Miri dhe sipas medieve italiane konsiderohet si një përfaqësues i “familjes më të fuqishme kriminale shqiptare, familja Çapja nga Elbasani”. Serjani u kap me 600 kgram kokainë brenda një makine tip Peugeot si dhe 108 mijë euro.











