Aktori i njohur Bud Spencer, emri i vërtetë i të cili është Carlo Pedersoli, është ndarë nga jeta këtë mbrëmje në një spital në Romë në moshën 86-vjeçare. Lajmin e ka bërë publik i biti, Giuseppe Pedersoli, i cili shkroi në profilin e tij: “Babai fluturoi në qiell i qetë sot, rreth orës 18.15. Nuk vuajti, na kishte pranë të gjithëve. Fjala e fundit që tha ishte “Faleminderit!” Aktori që do të mbahet mend nga të gjithë për filmat e tij të jashtëzakonshëm të viteve ’70, lindi në Napoli në vitin 1929. Gjiganti i mirë që rrihte të gjithë të këqijtë fitoi mijëra zemra që e ndoqën nga ekrani breza pas brezi.











