Një ish-agjent i Shërbimit Informativ Shtetëror është dënuar me 21 vjet heqje lirie nga Gjykata e Tiranës për akuzën e “vrasjes me dashje”. I pandehuri Xhevahir Mzhika u dënua si autor i vrasjes së pronarit të një servisi, Florian Selmanit, në gusht të vitit 2014, në zonën e njohur si ish-Fusha e Aviacionit në kryeqytet, pas konfliktit të lindur për një gomë automjeti.
Ngjarja
Ngjarja për të cilën u fajësua ish-agjenti sekret Mzhika pati si shkak përplasjen e nisur për një gomë të përdorur, që ai e bleu në servisin e administruar nga i ndjeri. I pandehuri ishte nisur për një udhëtim bashkë me anëtarë të familjes së tij, por pësoi një aksident të lehtë në dalje të Tiranës. Sipas Prokurorisë, aksidenti është shkaktuar nga plasja e gomës, që kishte blerë te i ndjeri Selmani.
Pas aksidentit, i nervozuar, 43-vjeçari Mzhika ka shkuar te servisi ku i ka kërkuar llogari të ndjerit dhe vëllait të tij. Sipas Prokurorisë, ai është konfliktuar dhunshëm me pronarët. Ai është larguar për t’u kthyer aty disa minuta më vonë me një armë në dorë, me të cilën ka qëlluar 33-vjeçarin Selmani.
Vendimi
Vendimi ndaj Mzhikës u shpall më 27 prill 2016. Në përfundim të 32 seancave gjyqësore, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Petrit Çomo, vlerësoi të provuar pretendimet e Prokurorisë në lidhje me deklarimin e fajshëm të të pandehurit. Në fazën e konkluzioneve përfundimtare, përfaqësuesi i Prokurorisë i kërkoi gjykatës një dënim me 29 vjet heqje lirie për Mzhikën.
Nga ana tjetër, avokati i tij, Baftjar Rusi, i kërkoi gjykatës pushimin e çështjes penale ndaj të pandehurit, ose deklarimin e pafajshëm të tij. Nga ana e gjykatës, i pandehuri është fajësuar për “vrasjen me dashje” dhe për “mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe të municionit”. Në bashkim të dënimeve, gjykata ka vendosur një dënim të vetëm me 21 vjet heqje lirie për të pandehurin.











