Një grabitje me armë dhe maska ka ndodhur sot te Hotel “Sheraton” në Tiranë. Mësohet se një kambist ka qenë objekt i grabitjes nga persona të armatosur dhe me maska.
Nga hetimet paraprake, mësohet se kambisti sapo kishte tërhequr një shumë prej 18 milionë lekë (të reja). Kambisti ka qenë i shoqëruar nga një person tjetër dhe sapo i ishte drejtuar një “Exchange” për kthimin e lekëve në valuta të huaja, kur janë ndeshur përballë personave me maska. Nën kërcënimin e armëve ata i kanë rrëmbyer çantën me sasinë e konsiderueshme të lekëve dhe janë larguar.
Policia shkoi në vendngjarje dhe mori në pyetje kambistin, i cili ishte i shoqëruar me një person tjetër, ndërsa ka shpallur në kërkim grabitësit.











