Presidenti i Republikës, Bujar Nishani është nisur sot drejt Brukselit, në kuadër të një vizite pune në institucionet e Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Sipas një njoftimi për shtyp të Presidencës, Nishani gjatë kësaj vizite do të takohet me presidentin e KiE, Donald Tusk; Presidentin e Parlamentit Europian, Martin Schulz; si dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Aleancës, Jens Stoltenberg.
Në këto takime mësohet se do të diskutohet për integrimin europian të Shqipërisë, si dhe për përgjegjësitë e vendit si anëtar i NATO-s, në përballjen me sfidat aktuale.
Presidenti Bujar Nishani do të zhvillojë edhe një mëngjes pune të organizuar nga Instituti Transatlantik dhe presidenca holandeze e BE, si dhe një takim me komunitetin shqiptar në Belgjikë.












