Presidenti i vendit Bujar Nishani shpalli sot procedurat për 2 anëtarë të rinj të Gjykatës Kushtetuese.
Bazuar në nenin 125 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe në Ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, si dhe në njoftimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Gjykatës Kushtetuese mbi përfundimin e mandatit të dy gjyqtarëve, si rrjedhojë e plotësimit të afatit të caktuar, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, fton subjektet e interesuara të paraqesin kërkesat e tyre për t’u emëruar si gjyqtarë kushtetues.
Të interesuarit duhet të dorëzojnë në Institucionin e Presidentit të Republikës dokumentacionin si më poshtë vijon:
1- Kërkesë me shkrim.
2- Fotokopje të dëshmisë së arsimit të lartë juridik, Diplomë e Nivelit të Dytë (e noterizuar)
3- Përmbledhje të karrierës profesionale e shoqëruar me vërtetimet e lëshuara për çdo rast nga institucioni ose organi ku ka ushtruar detyrën ose nga dhomat kombëtare të avokatisë, noterisë, përmbarimit, etj.
4- Fotokopje të dokumentit të identifikimit (e noterizuar).
Afati për të paraqitur kërkesat fillon ditën e premte, datë 1 prill 2016 dhe përfundon ditën e premte, datë 8 prill 2016.











