Partia Demokratike shprehet e vendosur të vijojë protestat kundër ndërtimit të parkut të lojërave te liqeni. Kreu i PD-së, Lulzim Basha mblodhi mbrëmjen e sotme Kryesinë dhe grupin parlamentar, për të vendosur lidhur me aksionin e opozitës.
Objekt diskutimi në këtë mbledhje ishte kursi politik i opozitës, pas përplasjeve të sotme me policinë në protestën kundër këndit të lojërave për fëmijë te Liqeni Artificial.
Në mbledhjen me dyer të mbyllura mësohet se është vendosur që protesta e demokratëve të vijojë, ndërsa aksioni do të shoqërohet me mosbindje civile.
Kryetari i PD-së Lulzim Basha deklaroi se beteja e demokratëve nuk është betejë për një park apo për një pemë, por betejë për vendosjen e shtetit ligjor.
Përplasja e sotme ka qenë e ashpër, ku nuk mungoi edhe dhuna e policisë bashkiake dhe atë të shtetit ndaj protestuesve. Policia shoqëroi sot dhjetëra aktivistë të PD-së.











