“OSHEE po ndjek me vëmendje situatën në terren duke angazhuar rreth 1500 punonjës që po punojnë për lokalizimin e defekteve dhe marrjen e masave për likuidimin e avarive në rrjetin shpërndarës të tensionit të lartë, të mesëm dhe të ulët”.
Ky njoftim i përket tre ditëve më parë. Sot, ende pas këtij njoftimi, zonat në periferi të Tiranës vazhdojnë të vuajnë mungesën e energjisë elektrike.
Janë banorët e fshatit Vishaj, të njësisë administrative Vaqarr, të cilët ankohen, jo vetëm për mungesën e energjisë elektrike, por edhe për indiferencën e strukturave përgjegjëse.
Sipas banorëve, prej tre ditësh nga OSHEE ka vetëm “fjalë të mira” dhe afate e premtime për rilidhjen e energjisë elektrike, por ende energji mungon në banesat e bizneset e tyre.
Situata bëhet më kritike, në këto ditë, relativisht të ftohta, të cilët banorët dhe bizneset e kësaj zone duhet ti përballojnë në kushtet e mungesës së energjisë elektrike.












