Skënder Haluci (në mes)
Kreu i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Vlorës, Skënder Haluci ka reaguar sot në lidhje me një letër që ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, u ka dërguar Presidentit të Republikës dhe ministrit Manjani, në lidhje me gjyqtarin Laurent Fuçia.
Sipas kryegjyqtarit Skënder HAluci, gjyqtari Laurent Fuçia është një nga gjyqtarët më të mirë në Vlorë. Haluci e cilëson letrën e Tahirit si të nxituar, duke theksuar se ndaj gjyqtarëve në Vlorë ushtrohet presion i madh nga kriminelët, madje edhe nga vetë Policia e Shtetit.
Haluci thotë se mirëpret kontroll në çështjen në fjalë, për të parë nëse ka shkelje ose jo.
Skënder
Reagimi i kreut të gjykatës së Vlorës erdhi pasi ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, në një letër dërguar Presidentit të Republikës dhe njëkohësisht kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani ka denoncuar gjyqtarin e gjykatës së Vlorës, Laurent Fuçia, që sipas Tahirit, ka vendosur masën e sigurisë detyrim paraqitjeje për Vasil Papën, i arrestuar në kushtet e flagrancës me armë pa leje në trup në një lokal në qytetin e Vlorës.
Sipas Tahirit, vendime të tilla kaq shqetësuese për shoqërinë rrezikojnë të dekurajojnë punën e policisë në luftën kundër krimit.
Ministri Tahiri i kërkoi Presidentit Nishani dhe ministrit të Drejtësisë Manjani që të verifikojnë rastin dhe të marrin masat e duhura.


Faksimile e letrës së Saimir Tahirit











