Policia Kufitare e Kapshticës ka goditur një rast të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, ndërsa ka sekuestruar 474 pako, me një peshë rreth 500 kg lëndë narkotike cannabis sattiva. Në pranga, i arrestuar në flagrancë ka rënë drejtuesi i kamionit, ku u gjend bima narkotike.
Sipas burimeve zyrtare të policisë, mësohet se nga ana e shërbimeve të Policisë Kufitare të Kapshticës, në bashkëpunim me Doganën, si edhe Seksionin kundër Narkotikëve në DVP Korçë, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i Eldi Zahiri, 38 vjeç, banues në Durrës.
Arrestimi i tij u bë pasi, gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia Kufitare në vijën e dytë, (në dalje të Republikës së Shqipërisë), si edhe pas kontrollit në skanerin “S2 Globale”, mjetit tip kamion të markës “MAN” me targa AA 312 MY dhe rimorkios me targë ADR 495, me të cilin ky shtetas udhëtonte dhe kishte si destinacion Turqinë, iu gjetën të fshehura dhe u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, 474 (katërqind e shtatëdhjetë e katër), pako të mbështjella me letër natriban ngjyrë kafe, me lëndë të dyshuar narkotike, cannabis sattiva, me një peshë të përafërt rreth 500 Kg.
Sasia e lëndës narkotike, ishte fshehur në pjesën e tavanit të mjetit dhe rimorkios së tij.
Materialet i kaluan Prokurorisë të Krimeve të Rënda Tiranë, për veprën penale, “Trafik ndërkombëtar i lëndëve narkotike”, parashikuar nga neni 283/a i Kodit Penal.












