Protesta e sotme në Povelçë
Një ditë pas premtimeve të ripërsëritura të kryeministrit Edi Rama, për dëmshpërblimin e të përmbyturve në Kafaraj, banorët e fshatit Povelçë në Fier, të pakënaqur, kanë organizuar mëngjesin e sotëm një protestë. Ata thonë se nuk kanë marrë ende dëmshpërblimet monetare për dëmet që i janë shkaktuar në banesa e bujqësi nga përmbytjet.
Sipas tyre, dëmet janë të konsiderueshme si pasojë e përmbytjeve që përfshinë edhe jugun e vendit gjatë viti 2015.
Sipas banorëve, ndonëse përmbytjet kanë ndodhur një vit më parë, ende nuk është paraqitur komisioni i vlerësimeve për të llogaritur dëmet.
“Jemi përmbytur një vit më parë. Kemi pësuar dëme të konsiderueshme. Kemi pritur 1 vit, komisioni i vlerësimit nuk ka ardhur”, shprehen banorët.
Banorët bllokuan rrugën Povelçë – Darzezë në shenjë proteste për të kërkuar reagimin e shtetit ndaj situatës së tyre.












