Edhe deputeti i PS, Ben Blushi ka reaguar në lidhje me situatën e tensionuar sot në Parlamentin e Shqipërisë. Në një deklaratë për mediat, Blushi tha se kjo nuk duhet të ishte një seancë vezësh, por një debat serioz.
Duke bërë një paralele me situatën në Kuvndin e Kosovës, Blushit tha se opozita në Shqipëri nuk ka të njëjtën kauzë me atë të Kosovë. “Opozita nuk besoj se ka kredon që ka opozita e Kosovës, para 2 vjetësh ka qenë në pushtet. Shumë nga gjërat që na akuzon i ka bërë vetë. Në vend se të ishte një debat vezësh, duhet të ishte një debat serioz për gjendjen ku është katandisur parlamenti. Për njerëzit që janë futur në parlament”, tha Blushi.
Më tej Blushi deklaroi se Partia Socialiste duhet t’u kërkojë falje shqiptarëve për njerëzit e inkriminuar që futi në parlament.“Njerëzit që janë futur në parlament nuk gjykohen si njerëzit e thjeshtë. Politikanët gjykohen ndryshe nga drejtësia. Sot ka ardhur dita që të paktën ne që jemi në shumicë, PS duhet t’u kërkojë ndjesë shqiptarëve për degradimin dhe ndotjen e imazhit të parlamentit. Ky do mbetet një nga parlamentet më të damkosura të historisë. Shumë njerëz që nuk duhet të ishin aty, njerëz me rekorde kriminale, ishin dhe mbeten atje. Ka ardhur koha që PS t’u kërkojë ndjesë shqiptarëve për çfarë njerëzish futi në parlament, duke degraduar raportin e zgjedhësve me parlamentin dhe duke i treguar njerëzve që nuk ka nevojë të mësosh por të jesh muskuloz”, theksoi ai.











