Fondi Monetar Ndërkombëtar pret që rritja ekonomike e Shqipërisë të mëkëmbet gradualisht, dhe për këtë shumë e rëndësishme do të jetë shpejtësia e reformave të nisura nga qeveria. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, shefja e misionit të FMN-së për programin me Shqipërinë, Anita Tuladhar thotë se ndonëse mekanizmi i Partneritetit Publik Privat sjell mundësi për financime dhe ekspertizën e sektorit privat, autoritetet duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje në parashikimin e rreziqeve që sjellin kontrata të tilla.
Sipas FMN-së, mëkëmbja ekonomike e Shqipërisë është në rrugën e duhur por ekzistojnë rreziqe.
“Po ne presim që rritja ekonomike do të mëkëmbet gradualisht, por ka rreziqe. Veçanërisht ajo që po ndodh me çmimin e naftës dhe të mallrave, që janë në rënie. Kjo krijon rreziqe për investimet në sektorin e naftës që ka qenë një zë i rëndësishëm i rritjes ekonomike në të kaluarën. Përveç kësaj, janë rreziqet e jashtme. Megjithëse kriza që kulmoi në verë në Greqi është zbutur, ka përsëri rreziqe që mund të vijnë nga Greqia pasi trazirat mund të kthehen përsëri. Në përgjithësi, rritja ekonomike në vendet me rritje të shpejtë ka rënë dhe kjo mund të ndikojë negativisht Shqipërinë, në se do të ketë ndikime nga rritja e ulët ekonomike në Evropë, veçanërisht në Itali dhe Greqi. Nga faktorët e brendshëm, rreziku kryesor është shpejtësia e reformës strukturore. Në se ajo ngadalësohet, do të ndikonte negativisht te besimi dhe perspektiva e investimeve”, rendit disa rreziqe shefja e FMN-së.
Për shefen e FMN-së, edhe politikat anti-inforlmalitetit nuk dhanë rezultat, për deri sa u dëmtuan të ardhurat nga mos parashikimi i duhur i sasisë së kthimit të taksave në sistem.
“Kemi parë se burimi kryesor i rrezikut në anën fiskale ka qenë mosrealizimi i të ardhurave. Sigurisht që në të ardhmen në se çmimi i naftës vazhdon të bjerë dhe rritja ekonomike do të jetë e ulët, ky do të jetë burimi kryesor i rrezikut për deficitin fiskal. Por ka edhe faktorë të tjerë që do të ndikonin të ardhurat. Në veçanti ekonomia informale. Një nga arsyet që u dëmtuan të ardhurat ishte mos parashikimi i duhur i sasisë së kthimit të taksave në sistem. Të gjitha këto nxjerrin në pah rëndësinë e përmirësimit të koordinimit mes autoriteteve të taksave dhe forcimit të administrimit të taksave. Kjo është një fushë e rëndësishme ku ne jemi përqendruar”, shprehet Tuladhar.











