Zyra për shtyp në Kryeministri shndërrohet në një redaksi estrade, duke sajuar dhe shpërndarë qyfyret e Edi Ramës në samitin e BERZH-it në Londër. Duke pretenduar se ka pasur shkëmbim batutash me homologun serb, zyra për shtyp në Kryeministri ka shpërndarë zyrtarisht një batutë të Edi Ramës (jo ndonjë batutë “të këmbyer” nga Vucic), e cila nuk tingëllon si asgjë më shumë se si një zë-cjerrje e radhës e tipit “fajin e ka BE”, që Rama i ka të shpeshta për konsum “nacionalist” sa herë merr pjesë në ndonjë forum ndërkombëtar…
Njoftimi i plotë i zyrës për shtyp në Kryeministri bashkë me batutat e Edi Ramës
Gjatë seancës së pyetje përgjigjeve në Samitin e BERZH në Londër Kryeministri Edi Rama pati një shkëmbim batutash me Kryeministrin e Serbisë Aleksader Vuçiç dhe ndër të tjera Kryeministri Rama tha:
“BE është më e kujdesshme ndaj tyre sesa ndaj nesh, sepse ne nuk kemi Rusinë. Kështu, ata ende nuk liberalizojnë vizat për qytetarët e Kosovës, neve na thonë ju jeni duke ecur shumë mirë, por keni ende për të bërë. Ndërsa ai fluturon në Rusi dhe merr hapjen e negociatave”.











