Autoriteti i Konkurencës i ka nisur një letër qeverisë përmes së cilës e njofton për shkeljet sistematike të ligjit në rastin e dhënies së koncesioneve në financa dhe në shëndetësi.
Në një intervistë për Vizion Plus, Lindita Milo, kryetarja e Autoritetit te Konkurrencës, thotë se ligji detyron të gjithë institucionet që përpara se t’i japin një shërbim privatit, duhet të marrin më parë aprovimin e autoritetit, nëse janë apo jo në të mirë të publikut.
Për këtë, bordi i konkurrencës i ka nisur edhe një letër qeverisë. Nga ana tjetër, konkurrenca është duke shqyrtuar marrëveshjen e qeverisë me koncesionarin e Aeroportit të Rinasit dhe kërkesën për targat me Çip.
Lindita Milo ndërkohë thotë se nuk ka marrëveshje me aeroportin e Rinasit dhe se çështja është ende në negocim.
Pak ditë më parë Komisioni i Konkurrencës i rekomandoi Ministrisë së Financave që të heqë pengesat financiare për futjen e kompanive në tregun e kasave fiskale, gjë e cila ka rritur dhe koston pasi në Shqipëri ka vetëm 5 kompani që tregtojnë këtë produkt.











