Përfaqësuesit e qeverise kanë propozuar ndryshimin e formulës dhe procedurave të zgjedhjes së drejtorit të ri të RTSH-së. Deputeti i PS njëkohësisht edhe nënkryetar i komisionit të medias Alfred Peza ka mbledhur 28 firma për formulën e re, për ta futur këtë propozim në procedurë të përshpejtuar në Parlament.
Me firmat e mbledhura nga deputetë të PS-së dhe LSI-së, nisin kështu procedurat për ndryshimin e ligjit mbi RTSH-në.
Në lidhje me këtë propozim, ka reaguar kryetari i komisionit të medias dhe deputet i PD i cili është shprehur kundra. Deputeti i PD-së, Genc Pollo thotë se ky ligj nuk mund të kalojë pa u konsultuar. “Ligji duhet konsultuar me OSBE-në dhe Këshillin e Evropës”,- vijoi deputeti.
Sipas Pollos, me këtë ligj synohet kapja e drejtorit të RTSH-së nga kryeministri, ndërsa shtoi se “Ligji i 2013 e bënte institucionin më të pavarur”.
Formula e propozuar parashikon që të zhvillohen tre raunde zgjedhjesh me shumicë të cilësuar. Ndërsa parashikohen dy raunde për zgjedhjen e drejtorit me shumicë të thjeshtë. Sipas këtij propozimi, nëse drejtori nuk zgjidhet me 5 raunde, Këshilli Drejtues i RTSH-së shpërndahet.












