Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër vendosi sot ndaj biznesmenit Seit Fishta, masën e sigurisë “liri me garanci pasurore”, në masën 50 mijë euro.
Ai akuzohet për ndërtim të paligjshëm të 9 objekteve banimi në zonën e plazhit të Velipojës.
Mbi këto ndërtime prokuroria vendosi sekuestro preventive.
Avokatët e Fishtës kundërshtuan vendimin e gjykatës duke e konsideruar arrestimin të paligjshëm, si dhe thanë se leja për ndërtimin e objekteve është dhënë nga Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit.
Seit Fishta, administratori e kompleksit Fishta në Velipojë, akuzohet për ndërtim të paligjshëm në tokë publike.
Lejet e marra prej kompanisë së tij janë konsideruar të paligjshme pasi prokuroria pretendon se janë dhënë nga KRRT-ja e Komunës së Velipojës, por duke qenë se bëhet fjalë për ndërtime në bregdet, leja duhet të ishte dhënë nga Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit.












